|
Description:
|
|
A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë e bën një "superushqim"? Apo se
çfarë kanë të përbashkët superushqimet apo superpijet si vera e kuqe, çaji
jeshil, lakra kaçurrele dhe boronica? Përgjigja është kuercetina, një përbërës
natyror që na jep atë që kërkojmë të gjithë: jetëgjatësi, shëndetin e zemrës,
fuqi, sistem të fortë imunitar etj.
Studimet tregojnë se kuercetina ka veçori anti-kancer dhe nëse bashkohet me
bromelainën, një enzimë anti-inflamatore bën çudira.
Çfarë është Kuercetina?
Kuercetina është një lloj flavonoidi që gjendet tek ushqimet bimore, përfshi
perimet e gjelbra, domatet dhe brokolin.
Konsideruar si një nga antioksidantët më të fuqishëm në dietën e njeriut,
kuercetina luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër radikaleve të lira,
efektit të plakjes dhe inflamacionit.
Si funksionon kuercetina dhe çfarë sasie na nevojitet?
Studimet kanë treguar se ushqimet anti-inflamatore që përmbajnë kuercetinë
mund të ndihmojnë kundër një sërë problemesh shëndetësore përfshi sëmundjet
kardiovaskulare dhe të enëve të gjakut, alergjitë, infeksionet, lodhjen e
vazhdueshme, artritin etj. Po sa na vlejnë flavonoidet?
E thënë thjesht, ushqimet me nivel të lartë antioksidantësh vrasin radikalet
e lira apo shkaktarët e shumë sëmundjeve.
Kuercetina si një flavonoid i fuqishëm në dietën tonë vonon procesin e
plakjes duke lehtësuar efektet negative të stresit oksidativ në organizëm, i
cili ndodh tek të gjithë, por që shtohet nga dieta e varfër, niveli i lartë i
stresit, gjumi jo i mirë dhe ekspozimi ndaj toksinave.
Kuercetina luan rol në rregullimin e përgjigjes së sistemit imunitar ndaj
faktorëve të jashtëm përmes enzimave dhe proteinave që shërbejnë për
funksionimin e duhur qelizor.
Nuk ekziston një dozë e posaçme ditore për kuercetinën, por kjo varet nga
problemet me shëndetin. Është vlerësuar se shumica e njerëzve marrin nga 5- 40
miligramë në ditë nga konsumi i ushqimeve.
Përfitimet e kuercetinës…
1. Redukton inflamacionin
Kuercetina mund të ndihmojë në frenimin e dëmtimit të pjesëve të trupit të
shkaktuar nga radikalet e lira, të cilat ndikojnë negativisht në punën e
qelizave— përfshi dëmtimin e membranave qelizore, ndryshimin e mënyrës se si
punon ADN-ja etj.
Studimet e fundit tregojnë se inflamacioni është rrënja e të gjitha
sëmundjeve, përfshi sëmundjet e zemrës, kancerin, çrregullimet mendore dhe
sëmundjet autoimmune. Kuercetina lufton problemet që shkaktohen nga
inflamacioni, përfshi-
Arteriosklerozën, kolesterolin e lartë, sëmundjet e zemrës, diabetin,
problemet me sytë, kataraktet, alergjitë, astmën, ulçerën e stomakut,
infeksionet virale, inflamimin e prostates, problem me ovaret dhe fshikëzën e
urines, probleme me lëkurën etj
2. Lufton alergjitë
Kuercetina është një anti-inflamator natyral që ndihmon në alergjitë
sezonale, ushqimore, astmën, dhe problemet me lëkurën. Histaminat janë substanca
që çlirohen kur sistemi imunitar kap një alergji ose ndjesmëri dhe më pas
shfaqen simptomat kur trupi reagon ndaj alergjentëve.
Kuercetina ndihmon në stabilizimin e çlirimit të histamines nga disa qeliza
imunitare, që rezulton në pakësimin e simptomave si kollë, sy me lot, sekrecione
nga hundët, ethe në buzë, problem me tretjen etj. Në fakt, është aq efektive sa
janë përdorur formulat e lashta bimore të Kinës për të frenuar alergjitë ndaj
disa ushqimeve përfshi kikirikët. Studimet kanë treguar se kuercetina, një
element natyror lufton disa alergji njësoj si ilaç-et, por pa shkaktuar efekte
anësore.
3. Mbështet shëndetin e zemrës
Falë aftësisë së saj për të pakësuar inflamacionin dhe stresin oksidativ,
kuercetina u vlen njerëzve që vuajnë nga problemet me zemrën dhe venat. Për
shembull, konsumi i një sasie të konsiderueshme të frutave dhe perimeve me
ngjyrë të thellë që përmbajnë flavonoide lidhet me një rrezik më të ulët të
sëmundjeve kardiovaskulare e madje të vdekjeve tek të rriturit.
Studimet tek kafshët dhe tek disa njerëz kanë treguar se lloje të ndryshme
flavonoidësh (kuercetina, resveratroli dhe katekina) mund të ndihmojnë në
reduktimin e rrezikut të arteriosklerozës, një sëmundje e rrezikshme që
shkaktohet nga trashja dhe ngurtësimi i mureve të arterieve. Pak nga pak zgavra
e arterieve zvogëlohet, kështu që sasia e gjakut që e përshkron atë, pakësohet.
Në këto rrethana indet vuajnë për oksigjen dhe lëndë ushqyese. Në se
arterioskleroza prek enët që ushqejnë zemrën ose trurin, pasojat janë shumë të
rënda dhe mund të të shpien deri në vdekje.
Antioksidantët e ndihmojnë trupin kundër rritjes së kolesterolit LDL "të keq"
si dhe ndihmojnë në rregullimin e tensionit të gjakut. Disa studime kanë treguar
se kuercetina pakëson konsiderueshëm shanset për hipertension. Në fakt, nëse
keni dëgjuar që vera e kuqe i bën mirë zemrës kjo vjen për shkak të sasisë së
kuercetinës në të.
4. Ndihmon në largimin e dhimbjes
Nëse merrni kuercetinë mund të reduktoni dhimbjet e mesit artritin,
infeksionet e prostates dhe të traktit të frymëmarrjes. Kjo pasi kuercetina
redukton dhimbjen inflamatore. Ka disa pacientë që pasi pinë suplemente
kuercetinë dhe që vuanin nga dhimbje apo infeksion të fshikëzës së urinës
(ndjenjë e madhe për të urinuar, djegie apo fryrje) patën më pak simptoma.
Flavonoidet janë të lidhura gjithashtu në reduktimin e simptomave të
prostatitis (apo inflamacionit të prostatës) dhe të artritit reumatoid. Ka
dëshmi se kur pacientët me artrit rheumatoid heqin dorë nga "dieta tipike
perëndimore" drejt një regjimi ushqimor me nivel të lartë antioksidantësh (si
mana, fruta, perime, arra, fara), përjetojnë më pak dhimbje, duke e bërë
kuercetinën një trajtim natyror për artritin.
5. Mbron lëkurën
Kuercetina ndihmon kundër çrregullimeve si dermatitis. Sipas studimeve vetitë
antioksidante dhe anti-inflamatore janë mënyra natyrale për të luftuar sëmundjet
alergjike dhe inflamatore.
6. Mbron shëndetin e mëlçisë
Ka shumë studime që dëshmojnë se kuercetina i sjell disa përfitime mëlçisë.
Për shembull, studimet nga Instituti i Zhvillimit të Mjekësisë Bimore në
Akademinë e Shkencave Mjekësore të Pekinit kanë arritur në përfundimin se tek
minjët, "kuercetina shfaqi ndikim hepatombrojtës ndaj dëmtimit të mëlçisë nga
alkooli, duke shtuar veprimtarinë e enzimës që metabolizon etanolin, duke shtuar
veprimtaritë e sistemit antioksidativ kundër stresit oksidativ etj.
Burimet më të mira natyrore të kuercetinës.
Vera e kuqe, boronica, mollët, qepa e kuqe dhe çaji jeshil janë burimet më të
mira të kuercetinës.Gjithashtu, specat, domatet, lakra, brokoli, spinaqi, lakra
kaçurrele, lakra kineze bok choy, qitrot, kakao, shpargu, vaji i ullirit,
groshët etj., përmbajnë kuercetinë. |