|
Description:
|
|
Çdo 20 shtator në Kinë është Dita e "Duaji dhëmbët e tu".
Një nga përgjegjësit e kontrollit të sëmundjeve në Kinë, Chang Jile propozoi
përfshirjen e kontrollit dentar në kontrollin e përvitshëm të trupit, për të
përmirësuar gjendjen shëndetësore të punonjësve kinezë.
Misioni kryesor i ruajtjes së shëndetit të dhëmbëve përfshin frenimin e
rritjes së bakterieve në gojë, pastrimit e ushqimit të mbetur nëpër dhëmbë, duke
ruajtur një mjedis të shëndetshëm. Dhëmbët janë shumë të rëndësishëm dhe
ndikojnë pothuajse të gjithë shëndetin tonë. Madje sipas një studimi të fundit
thuhet se jetëgjatësia varet nga cilësia e dhëmbëve. Nëse kemi probleme me
dhëmbët, s'mund të përtypni ushqimet si duhet dhe kjo do të ndikojë si anën
fizike ashtu edhe atë psikologjike. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e
ka përcaktuar shëndetin dentar si një nga 10 kërkesat më të rëndësishme
shëndetësore.
Sipas të dhënave, niveli i shëndetit oral tek kinezët është përmirësuar
ndjeshëm në krahasim me 10 vjet më parë. Rreth 85% e banorëve kujdesen për
ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve. Kariesi tek fëmijët kinezë ndodhet në nivel të
ulët dhe të moshuarit kanë një situatë të mirë. Këshilluesi i Shoqatës së
Stomatologjisë në Kinë, Wang Xinghua, vuri në dukje se shëndeti i gojës tek
popullata e moshës së mesme duhet të përmirësohet.
"Personat e moshës së mesme përballen me shumë presion gjatë ditës, dhe ata
nuk i kushtojnë sa duhet vëmendje shëndetit të dhëmbëve. Nëse nuk kujdesen për
dhëmbët në këtë moshë do të vuajnë në moshë të thyer. Shumë prej tyre humbasin
dhëmbët dhe funksionin e përtypjes. Cilësia e jetës së tyre përkeqësohet
ndjeshëm."
Sipas hulumtimeve tek banorët e moshës 35-44 vjeçare në Kinë, 96.7% e tyre
kanë probleme me gurëzat. Përqindja e meshkujve që vuan nga gurëzat është më e
lartë se tek femrat dhe banorët në zonat rurale kanë më tepër probleme me
gurëzat se banorët në qytet. Të dhënat mbi gurëzat pothuajse kanë mbetur në të
njëjtin nivel si 10 vite më parë. Ndërkohë, 87.4% e personave kanë probleme me
gjakderdhjen e mishrave të dhëmbëve. Përqindja e meshkujve me këtë problem është
më e lartë se ajo tek femrat dhe nmë zonat rurale më e lartë se në ato urbane.
Në krahasim me shifrat e një dekade më parë, përqindja e banorëve që vuajnë nga
gjakderdhja e mishit të dhëmbëve është rritur 10.1%. Kjo tregon se duhet të
rritet më tej ndërgjegjësimi i popullatës dhe të bëhet rregullisht kontroll
gojor.
Përgjegjësi i KSHPFKK-ut Chang Jile u shpreh se
"Me zhvillimin ekonomiko-shoqëror, niveli i sigurimit shëndetësor po
përmirësohet gradualisht. Për shembull, tani shërbimi i vendosjes së implantit
dentar është përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Duke pasur parasysh
sëmundjet e veçanta të gojës e dhëmbëve, Kina ka përcaktuar programe të posaçme
sigurimi: si mbushja e dhëmbit, heqja e gurëzave, zbardhimi etj. Në Pekin,
Shangai, Zhejiang, Qingdao, Shenzhen dhe shumë rajone të tjera, pastrimi i
dhëmbëve është falas për të gjithë fëmijët në moshë të përshtatshme."
Përveç kësaj, Chang Jile prezantoi se sivjet programet e veçanta dentare të
sigurimeve shëndetësore po zhvillohen kryesishte ndaj fëmijëve dhe të moshuarve,
në shkolla, qendra mësimore, komunitete dhe rajone të tjera. Në këto programe,
grupet e specialistëve angazhohen për të trajnuar vullnetarët për të përhapur në
mënyrë shkencore informacione mbi shëndetin e dhëmbëve.
"Kemi përgatitur leksione shëndetësore për nxënësit e studentët. Kemi
vendosur konceptin 'dora e vogël ndihmon dorën e madhe', duke inkurajuar
përhapjen e informacioneve shëndetësore dentare nga fëmijët tek familja. Kjo do
të krijojë një atmosferë pozitive familjare për mbrojtjen e dhëmbëve përmes
fëmijëve. Zhvillojmë edhe aktivitete tek komunitetet për të rritur
ndërgjegjësimin e të moshuarve ndaj shëndetit dentar." (Xu Guang) |