|
Description:
|
|
Njerëzit me një herës të lartë inteligjence kanë tendencë që të vuajnë më
shpesh nga çrregullimet e ankthit, por cilat janë anët negative të kësaj.
Sipas psikologut Jashar Demiri personat që vuajnë nga anthi, stresi dhe
depresioni janë njerëz të trembur dhe me shpirt të trazuar që janë futur në një
rreth vicioz.
Personat që vuajnë nga çrregullimet e ankthit dhe ato emocionale bëjnë shumë
vizita të ndryshme mjekësore, por shëndeti i tyre fizik nuk ka probleme.
Stresi dhe ankthi janë pjesë integrale e jetës njerëzore, që do të thotë se
është e pamundur që sot të gjesh dikë pa stres e pa ankth, por nivelet janë në
kufijtë e lejuar. Madje pak stres dhe ankth është i domosdoshëm pasi është si ai
çelësi që ndez motorinon dhe e vë njeriun në lëvizje. Personat që kanë problem
me ankthin dhe stresin e dale jashtë kontrollit duhet të trajtohen, pasi nivelet
e larta të këtyre shqetësimeve janë në atë masë që pengon dhe prish cilësinë e
jetës. Psh, një student i cili ka stres se nuk do marrë provimin e bën atë që të
studiojë dhe e vë në lëvizje, por ankthi i tepruar do ta bëjë atë që të mos jetë
i përqëndruar dhe të ndihet i tmerruar jo vetëm gjatë studimit, por edhe kur
shkon në provim e bllokon.
Sipas psikologëve siç pastrojmë shtëpinë apo një send duhet të pastrojmë edhe
mendjen dhe që të menaxhosh diçka duhet ta njohësh. Ata të cilët vuajnë nga këto
probleme kur flasin me psikologun çlirohen dhe kthehen nga viktimë në menaxhues
të ankthit të tyre.
Kur e njohim ankthin dhe e kuptojmë që nuk ka çfarë na bën pasi nuk është një
sëmundje le të themi, individi lehtësohet shumë. Këta individë kanë gjithnjë
mendime jo reale në kokën e tyre të tilla si- Do vdes, po çmendem, do sëmurem
etj.
Kur ndodh një fatkeqësi individi mërzitet nga ndodhia, ndërsa në rastin e
personave që vuajnë nga ankthi, mërzitja vjen nga mendimi... që më pas kthehet
në kronik dhe individi futet në një luftë me mendimet apo kurthet e ankthit.
Madje këta persona çdo ngjarje të frikshme që dëgjojnë mendojnë se e kanë ata
radhën më pas. Psikolog Demiri shpjegon arsyet pse njerëzit vuajnë nga ankthi.
Ka 3 arsye pse njerëzit vuajnë nga ankthi thotë psikologu. E para është se
njerëzit që vuajnë nga ankthi janë ata që kanë ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe
me dëshirën për të mos bërë gabime me merakun për të bërë më të mirën për
tjetrin dhe ata që kanë mbizgjuarsi.
E dyta janë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën e individit, si
humbja e një njeriu të afërt, sëmundja, divorci etj.
Dhe rasti i tretë është nga gëzimi njeriu gjithashtu përjeton stres pasi ka
rritje të adrenalinës dhe në atë momente duhet të lëvizë të merret me punë e jo
të rrijë pasi adrenalina duhet çliruar nga trupi.
Ka njerëz që prej panikut kanë përfunduar në urgjencë dhe pas shumë testeve
ka rezultuar që janë të shëndetshëm.
Ankthi është një sjellje e mësuar dhe ashtu siç mësohet mund edhe të
çmësohet, thotë psikologu në një intervistë. Ai thekson në mënyrë të veçantë se
ai që vuan nga ankthi nuk do të vdesë nga zemra, meqë gjatë episodit të ankthit
individ përjeton rrahje të shpeshta të zemrës.
Mësoni të bashkëjetoni me ndjenjën e pasigurisë
Personat që vuajnë nga ankthi kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme siguri të
plotë për çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ata shqetësohen gjatë gjithë kohës
për çfarë mund të ketë ndodhur apo çfarë do ndodhë. Për më tepër, ata
përqendrohen kryesisht tek skenarët negativë të së ardhmes. Shpesh herë ky
shqetësim i vazhdueshëm perceptohet si një mënyrë e të qenit në kontroll dhe e
bën dikë të ndihet më i sigurt për të ardhmen. E vërteta është që sado që të
vrisni mendjen për çka mund të sjellë e ardhmja, përsëri nuk mund ta bëni jetën
më të parashikueshme. Dikush mund të ndihet më i sigurt ndërsa shqetësohet për
të ardhmen, por në fakt ky efekt është vetëm një iluzion. Nuk është se mund të
parandaloni ngjarje negative thjesht duke menduar për to. Përkundrazi, duke u
përqendruar në mendime negative për të ardhmen, të cilat mund të mos realizohen
kurrë, nuk shijoni dot të sotmen së bashku me të gjithë gëzimet e saj. Është e
nevojshme për të ulur nivelet e ankthit në jetën tonë që të filloni të punoni
dhe të ndryshoni nevojën për siguri dhe për të parashikuar të ardhmen.
Një stil jetese i balancuar dhe i shëndetshëm gjithashtu ndihmon në
menaxhimin e ankthit dhe simptomave të tij. Është e rëndësishme që të ushqeheni
në mënyrë të shëndetshme, duke ngrënë vakte të shpeshta por të vogla në sasi
gjatë ditës. Nëse rrini pa ngrënë për një kohë të gjatë, bie niveli i sheqerit
në gjak, gjë që mund t'ju sjellë ankth dhe gjendje të irrituar. Dieta duhet të
përfshijë karbohidrate të ndryshme nga drithërat, frutat dhe perimet. Këto
karbohidrate jo vetëm stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak por dhe ngrenë
nivelet e serotoninës, një kimikati në tru që ka efekte qetësuese. Evitoni pijet
me kafeinë si dhe nikotinën pasi të dyja këto lëndë stimulojnë sistemin nervor
dhe rrisin efektet e ankthit.
Ndërkohë përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik 2 ose 3 ditë
në javë. Aktiviteti fizik ju ndihmon që largoni stresin, të merrni energji dhe
ndihmon në mirëqenien psikologjike pasi gjatë stërvitjes çlirohen endorfina,
kimikate si adrenalina që na bëjnë të ndihemi mirë. Mungesa e gjumit mund të
jetë gjithashtu një faktor që sjell ankth gjatë ditës, prandaj kujdesuni që të
plotësoni orët e gjumit që ju nevojiten |