|
Description:
|
|
Shkrimi i keq i mjekëve është një nga çështjet më të diskutuara për
pacientët, kur këta të fundit duhet të "deshifrojnë" një recetë.
Sipas një raporti të Akademisë së Shkencave të Institutit Kombëtar të
Mjekësisë në SHBA, fakti që infermierët apo farmacistët nuk mund të dallojnë
qartë emërtimin e barnave nga shkrimi i keq i mjekëve, shkakton vdekjen e
paqëllimshme të rreth 7 mijë personave çdo vit në SHBA.
Sigurisht që jo të gjitha rastet rezultojnë fatale, pasi më të shumtë janë
pacientët që thjesht pësojnë komplikacione të lehta shëndetësore.
Për ta minimizuar këtë problem, kompanitë e teknologjisë në bashkëpunim me
institucionet parashikojnë që të fusin në përdorim sistemin e përshkrimit të
barnave përmes teknologjisë, e cila do të përdoret nga mjekët dhe do bënte që të
evitoheshin gabime të tilla, që shumë njerëzve u kushtojnë edhe jetën.
Google, Aetna, Dell e shumë spitale në Amerikë tashmë kanë prezentuar këtë
sistem që mjekëve do t'u ofrohet pa pagesë.
Shkrimi i keq i mjekëve është fenomen sa i njohur edhe i komentuar me humor,
por pakkush e di se sa jetë njerëzish kushton, përveç vetë mjekëve, ata duhet ta
dinë mirë por e marrin përsipër rrezikun çdo ditë, sepse mesa duket për ta
ngelet thjesht statistikë. Dhe kur vjen puna tek statistikat, në SHBA çdo vit
vdesin 7000 njerëz dhe dëmtohen rreth 1,5 milionë vetëm prej recetave me shkrim
të keq të mjekëve, shkurtimeve dhe ngatërrimit të dozave nga farmacisti që e
lexon, ose më mirë të themi mezi e lexon.
NEPSI (National e-prescribing Patient Safety Initiative) në SHBA u ka ofruar
akses dhe përdorim falas mjekëve për të shkruar receta elektronike falas, ku
njëkohësisht programi kontrollon për kombinime të rrezikshme të ilaçeve dhe
kontrollon që farmacia të sigurojë dozat e duhura.
Gabimet e mjekëve mbajnë vendin e tretë në botë për vdekjet e pacientëve,
shto këtu edhe gabimet e farmacistëve në deshifrimin e recetave, do ta kuptoni
pse njihni personalisht aq shumë raste njerëzish që kanë gjetur vdekjen ose janë
përkeqësuar për shkak të gabimeve të mjekëve.
Sipas disa analistëve shkrimi i keq i mjekëve vjen për shkak të punës së
ngarkuar, ata janë shumë të zënë për shkak të numrit të lartë të pacientëve
gjatë një dite. Në Kinë ky problem është zgjidhur duke e printuar recetën nga
kompjuteri dhe problemi është i zgjidhur.
"Kur shkruajnë mjekët janë të fokusuar tek diagnoza dhe llojet e ilaçeve, më
shumë se tek mënyra e të shkruarit," thotë Keya Shivadey, specialist gjinekolog
në një qendër mjekësore në Dubai.
Si pacientë, gjithmonë kemi parë që është shumë e vështirë të kuptojmë ndonjë
fjalë apo dhe gërmë nga receta.
Por, nga ana tjetër kemi besim të plotë tek aftësitë e farmacistëve se ata do
të jenë në gjendje të deshifrojnë shkrimin e mjekut. Në fakt farmacisti ka pasur
një punë të vështirë gjatë viteve akademike në mbajtjen mend të termave dhe
medikamenteve, por sipas disave puna më e vështirë në planet, që u ka rënë për
pjesë farmacistëve, është pikërisht deshifrimi i shkrimit të mjekut.
Receta elektronike? Pse jo
Për të zgjidhur këtë problem shumë sugjerojnë që të përdoret receta
elektronike.Të shpresojmë se ashtu si në Kinë, receta elektronike do bëhet
praktikë edhe në Shqipëri për të zgjidhur të gjitha problemet që vijnë nga
shkrimi i mjekut dhe për të lehtësuar punën e farmacistit. |