|
Description:
|
|
Plakja është një fazë e pashmangshme e jetës sonë. Çdokush do të përballet me
venitjen e fytyrës dhe lëkurës. Por shumë njerëz, sidomos femrat duan që të
plaken sa më vonë. Po nga se vjen plakja e lëkurës. Së pari, plakja e lëkurës
është një "proces i oksidimit" i trupit. Në fakt, hekuri i ndryshkur dhe ngjyra
që merr molla pas qërimit të lëkurës janë gjithashtu reagime të zakonshme
kimike. Prandaj, nëse duam të kemi lëkurë të bukur, masat e ndryshme për
mbrojtjen e lëkurës janë në fakt masat anti-oksiduese.
Antioksidantë për të eleminuar radikalet e lira
Oksidimi i lëkurës vjen kryesisht nga ndikimi i radikaleve të lira, të cilat
janë mbetjet e aktivitetit fizik të trupit që grumbullohen brenda qelizave.
Tani, produktet kozmetike për lëkurën synojnë kryesisht pakësimin e radikaleve
të lira të cilat janë përgjegjëse për rrudhat.
Radikalet e lira kanë rol transformues të energjisë brenda trupit. Kur ka
shumë prej tyre, mund të shpejtojë harxhimi i energjisë dhe procesi i plakjes së
trupit.
Duke folur për problemet e plakjes, shumë persona, veçanërisht femrat do të
kenë një ndjenjë meraku. Prandaj, ato janë më të kujdesshme ndaj ruajtjes së
rinisë së lëkurës dhe përdorin shumë produkte për mbojtjen e saj. Këto produkte
ndihmojnë në pakësimin e radikaleve të tepërta në lëkurë, duke i shndërruar në
ujë ose në materiale të tjera të padëmshme, të cilat do të dalin nga trupi me
anë të djersës apo mënyrave të tjera.
Me studimin e mëtejshëm për dëmtimin e lëkurës nga drita e diellit,
shkencëtarët zbuluan se kremërat kundër diellit parandalojnë dhe lehtësojnë
dëmtimet dhe plakjen e lëkurës që vjen si pasojë e rrezeve të diellit. Disa
specialistë thonë se një krem i mirë mbrojtës kundër diellit mund të pengojë 55%
të radikaleve të lira. Efektiviteti i mbrojtësve kundër diellit varet nga niveli
i përthithjes nga lëkura e trupit.
Radikalet e tepërta që shkaktojnë ndikim të fortë oksidimi, mund të helmojnë
organet e qelizave dhe dëmtojnë funksionet fizike normale, duke shkaktuar
sëmundje dhe plakje. Por radikalet e lira në nivel të ulët mund të luajnë rol të
rëndësishëm në rregullimin e sistemit imunitar, kundër infeksioneve etj, duke
ruajtur shëndetin e trupit. Prandaj, objektivi anti-oksidant nuk synon
asgjësimin e plotë të radikaleve të lira, por mbajtjen e tyre në një nivel të
ulët që mund të garantojë ekuilibrin mes shëndetit dhe lehtësimit të plakjes.
Ushqimet që përmbajnë antioksidantë
Në organizmin e njeriut ekzistojnë elemente të ndryshme të antioksidantëve që
mund të mbajnë në nivel radikalet e lira, ndërsa një sasi e mirë e
antioksidantëve mund të merren përmes ushqimeve. Antioksidantët më të lartë
gjenden tek perimeve dhe disa fruta.
1. Vitamina E
Kjo është një vitaminë e rëndësishëm dhe antioksidant që ul nivelin e
radikaleve të lira dhe shmang dëmtimet e membranës qelizore duke mbrojtur enët e
gjakut, zemrën, mëlçinë, gjirin, sytë, lëkurën etj. Kjo vitaminë pakëson plakjen
dhe parandalon sëmundjet e ndryshme kronike. Trupi ynë s'mund të prodhojë
vitaminën E, prandaj ajo duhet të merret përmes ushqimeve. Disa nga ushqimet që
përmbajnë vitaminën E janë farat e lulediellit, arrat, lajthia, kikirikët etj.
Këto ushqime mund të ndihmojnë në riparimin e qelizave të lëkurës. Por nuk duhet
të konsumojmë tepër nga këto ushqime, për shkak të nivelit të lartë të yndyrës,
që mund të shkaktojë mbipeshë.
2.Vitamina C:
Vitamica C shpesh është cilësuar si vitamina e mrekullive, pasi ajo ndihmon
të gjithë trupin. Marrja e suplementeve të vitaminës C mund të pakësojë dukshëm
reaksionet e oksidimit. Sasia e sugjeruar e saj është 0.5-3 gramë në ditë.
Vitamina C mund të ruajë shumë organe të trupit nga plakja dhe ka efekt të
zbardhjes së lëkurës.
3. Astaxanthin
Astaxanthin është një pigment i kuq dhe ka një strukturë të ngjashme si
β-karotene. Ajo ekziston gjerësisht në natyrë, kryesisht brenda algave të detit,
salmoni, karkalec, gocë deti etj. Një nga arsyet më të mëdha të plakjes dhe
kancerit të lëkurës është rrezatimi i rrezeve ultravjollcë.
Ky antioksidant i fuqishëm mund të mbrojë nga rrezatimi ultraviolet, duke
eleminuar efektivisht radikalet e lira në lëkurë.
4. Çaji
Çaji është një pije e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit në kulturën e
Lindjes. Ai ka shumë funksione si në kozmetikë, për rënien e peshës dhe ruajtjen
e shëndetit. Katekina që pëmban çaji është një antioksidant shumë i fuqishëm.
Sipas studimeve përkatëse, kremërat me çaj ulin me afro 1/3 të peroksidëve të
lëkurës, të cilat mund të shkaktojnë dëmtimin dhe plakjen e lëkurës.
5. Farat e rrushit
Antocianina , antioksidant tek farat e rrushit është shumë e fuqishme. Farat
e rrushit mund të parandalojnë dhe reduktojnë dëmtimin e lëkurës nga rrezatimi
ultravjollcë, mund të riparojnë kolagjenin e dëmtuar dhe fibrat elastike. Ato
mund të parandalojnë shfaqjen e rrudhave në lëkurë, të eleminojnë radikalet e
lira dhe të reduktojnë pezmatimin e lëkurës.
6. Isoflavonet tek kokrrat e sojës
Isoflavonet tek kokrrat e sojës mundësojnë një lëkurë të butë dhe delikate
për femrat. Ato ndihmojnë gjithashtu në zbukurimin e gjinjve. Isoflavonet kanë
aftësi të heqin radikalet e lira të tepërta.
7. Likopeni
Likopeni është një ndër antioksidantët më të fortë, që është zbuluar vitet e
fundit. Ky antioksidant përfshihet në shumicën e frutave dhe perimeve, sidomos
tek domatja. Struktura e veçantë kimike e tij mund të asgjësojë radikalet e
lira.
Konsumi i ushqimeve që përfshijnë shumë antioksidantë është një garanci për
shëndetin e lëkurës. Përveç ushqimeve duhet të krijoni dhe disa shprehi të
shëndetshme si mos flini vonë, ulni konsumin e ushqimeve pikante, ruani humor të
mirë dhe merruni me aktivitet sportiv. Këto janë disa nga sekretet për një
lëkurë të magjishme dhe të shëndetshme. (Xu Guang) |