|
Description:
|
|
Roma mbajti më 17 nëntor Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Mjekësisë
Kineze. Tema e kësaj here është "Bota e Mjekësisë kineze dhe MTK-ja në mbarë
botën----ndërtimi i një bashkësie fatesh të përbashkët të shëndetit të
popullatës".
Në konferencën dyditore morën pjesë qindra specialistë të mjekësisë kineze
nga 31 vende dhe rajone të botës dhe diskutuan mbi teorinë bazë dhe përparimin e
ri të studimeve klinike të mjekësisë kineze, eksplorimin e medikamenteve bimore
kineze, standardet ndërkombëtare të mjekësisë kineze, integrimi i mjekësisë
kineze me atë perëndimore etj.
Në ceremoninë e hapjes, zv.drejtori i Administratës Shtetërore të Mjekësisë
Kineze dhe kryetari i Federatës së Mjekësisë Kineze Botërore, Ma Jianzhong u
shpreh se sipas vullnetit dhe ndërtimit të përbashkët të nismës "Një brez, një
rrugë", Kina do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e mjekësisë
tradicionale, duke nxitur këtë praktikë të lashtë mijëravjeçare në botë.
Organizimi i kësaj konference synon nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të MTK-së
dhe forcimin e ndikimit të statusit të saj në arenën ndërkombëtare, duke nxitur
ndërtimin e një bashkësie fatesh të përbashkëta të shëndetit të njerëzve. Për
këtë gjë, ai paraqiti 3 sugjerime:
"Së pari, duhet të përmirësojmë aftësitë klinike të stafit shëndetësor të
MTK-së, duke ruajtur më tej rolin e rëndësishëm të mjekësisë kineze në mbrojtjen
e shëndetit; së dyti, duhet të nxisim zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit
konkret në këtë fushë për t'u dhënë përgjigje shumë çështjeve të vështira
mjekësore rajonale sipas kërkesave; së treti, duhet të nxitim më tej
standardizimin dhe përmbushjen e rregullave ndërkombëtare të Mjekësisë dhe
Farmaceutikës kineze, për të nxitur vendet e ndryshme që të hartojnë politika
kombëtare mbi zhvillimin e mjekësisë tradicionale."
Sot gjithnjë e më shumë vende dhe organizata ndërkombëtare po pranojnë
parimet dhe karakteristikat e MTK-së. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës
Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, José Graziano da Silva u shpreh në fjalimin
e tij se Mjekësia Tradicionale Kineze ndihmon në ndërtimin e një bote me
qarkullim të vazhdueshëm.
"Së pari, koncepti i mjekësisë kineze, që është i ndryshëm nga ai i mjekësisë
perëndimore, konsiston në vetërregullimin nga trupi me anën e metodave të
gjithanshme dhe komplekse. Metodat e mjekësisë kineze përfshijnë dietën e
shëndetshëm dhe të ekuilibruar, forcimin e stërvitjes, terapinë bimore,
lehtësimin e presionit etj. Përveç kësaj, mjekësia dhe ilaçet kineze mund ta
nxitin zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, meqenëse ajo mund ta nxisë rritjen
e kërkesave për produkte bimore organike, duke krijuar një treg më tërheqës për
bujqësinë familjare."
Kryetari i Shoqatës së Mjekësisë Kineze në Itali, He Jialang u shpreh se
mjekësia kineze është një mjekësi natyrore efektive, që u bë popullore
gradualisht tek popujt e shumë vendeve të botës dhe sot ndodhet në një situatë
të re në krahasim me të kaluarën. Prandaj, shkëmbimet akademike ndërkombëtare
kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e mjekësisë
kineze.
"Mjekësia Tradicionale Kineze ka mijëra vjet që trashëgohet brez pas brezi,
falë efektivitetit të mirë që ka. Në kohët moderne, zhvillimi i mjekësisë kineze
në vende të ndryshme varet gjithashtu edhe nga efektiviteti i saj. Sot, kemi
ftuar shumë specialistë të njohur të mjekësisë kineze në Konferencën e Romës,
për të publikuar rezultatet më të reja akademike mjekësore. Procesi i shkëmbimit
dhe shpërndarjes mund të nxitë më tej globalizimin e MTK-së, duke dhënë
kontribut për shëndetin e të gjithë njerëzve."
Në këtë konferencë morën pjesë shumë profesionistë të sektorit të mjekësisë
kineze në Romë. Laura Ciminelli është përgjegjëse e një qendre trajnimi të
mjekësisë tradicionale kineze në Romë, që merret kryesisht me mësimdhënien mbi
akupunkturën, masazhin dhe ruajtjen e shëndetit. Ajo u shpreh optimiste për
perspektivën e zhvillimit të mjekësisë kineze në Itali.
"Sipas opinionit tim, interesimi ndaj mjekësisë dhe bimëve kineze po rritet
në mënyrë të pandërprerë. Shpresojmë të përfitojmë sa më shumë mbështetje nga
mjekësia tradicionale kineze dhe të përdorim barnat bimore kineze, pasi ato janë
prodhuar nga burime natyrore dhe kanë efekt të mirë. Por, tani, italianët kanë
vështirësi në gjetjen e specialistëve të mjekësisë kineze dhe në marrjen e
barnave të përshtatme kineze."(Xu Guang) |